Premtohet rishqyrtim i vendimeve për ndërtimet e planifikuara pranë Liqenit të Badovcit

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 07:04 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtje të resurseve ujore dhe rishqyrtim të vendimeve për ndërtimet e planifikuara buzë Liqenit të Badovcit, ka premtuar qeverisja e re e udhëhequr nga Albin Kurti.

Gjatë kësaj jave, ministri i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do të konsultojë palët e përfshira në këtë proces dhe do të veprojë mbi bazë ligjore, duke respektuar të gjitha procedurat e parapara. Ai ka premtuar se nëse varet nga ministria që drejton, kjo ide do të anulohet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për këtë çështje, të shtunën përfaqësues të Grupit të Qytetarëve kanë takuar kryeministrin e ri të vendit, Albin Kurti, të cilit ia kanë shprehur shqetësimet dhe kërkesat e tyre karshi institucioneve.

Diskutimi rreth planit për ndërtime afër Badovcit ka nisur pas publikimit të një njoftimi që paralajmëron ndërtimin e një lagjeje luksoze afër Liqenit të Badovcit. Ai njoftim para disa javëve ka mobilizuar qytetarët në mbrojtje të këtij aseti strategjik nga degradimi. Rreth 27 mijë qytetarë janë bashkuar në një grup në rrjetin social Facebook për të kundërshtuar ndërtimin e paralajmëruar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme