Presheva e bindur se do të bashkohet me Kosovën

Prishtinë | 04 Nën 2018 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Lideri i PDSH-së, Ragmi Mustafa është i bindur se në pranverën e ardhshme Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës. Mustafa ka sqaruar se pret që kjo të ndodhë me ndihmën e Uashingtonit dhe Brukselit, pasi do t’i hapë rrugë integrimit euro-atlantik të gjithë rajonit.

“Duke qenë SHBA-ja dhe BE-ja të informuara mirë për përpjekjet e shqiptarëve, dashamirësinë e tyre për zgjidhje paqësore të problemit me një bindje shumë të madhe janë duke e mbështetur kërkesën e shqiptarëve. Urojmë që kjo ditë nuk do të jetë e largët. Besojmë shumë se në syrin e pranverës së radhës kjo do të marrë epilogun e saj deri në përmbyllje. Presheva, Bujanoci, Medvegja do të jenë pjesë integrale e territorit të Republikës së Kosovës, mbase edhe për të përmbyllur një herë e përgjithmonë problemet shqiptaro-serbe në Ballkanin Perëndimor, për t’i dhënë rrugë edhe Kosovës, madje edhe shteteve fqinje për integrimet euro-atlantike”, ka deklaruar Mustafa për “Alsat”.

Ardita Sinani nga PVD-ja thotë se diskriminimi i skajshëm i shqiptarëve nga Qeveria serbe imponon nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare me Kosovën.

“Neve nuk na mbetet rrugë tjetër, përpos të kërkojmë të drejtën tonë për bashkim me Kosovën. Popullata shqiptare e ka shprehur mendimin dhe vullnetin e vetë në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 dhe tani të jetësohet një gjë e tillë normal që është në interesin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ky është një vullnet që duhet të jetësohet fuqishëm”, ka pohuar Sinani.

Edhe kreu i LR PDSH-së, Sami Salihu vlerëson se bashkimi me Kosovën është zgjidhja më e mirë për Luginën.

“Është ëndërr e çdo shqiptari që jeton në Luginën e Preshevës, që një ditë t’i bashkëngjitet Kosovës. Kjo do të jetë zgjidhja më fatlume dhe në një farë mënyre do ta shpëtojë Luginën e Preshevës, me bashkimin me Kosovën. Por kjo hy në kuadër të dëshirës dhe vullnetit tonë. Se si do të jenë rrethanat politike, si do të jenë rrethanat rajonale, këtu nuk është se e kemi në dorë ne si pushtet lokal”, ka thënë ai.

Kreu i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi tha se janë pro bashkimit, por jo me çdo çmim. Arifi u shpreh kundër shkëmbimit të territoreve duke theksuar se një Kosovë evropiane do të ishte forcë mbështetëse për Luginën, nëse Lugina do të vazhdonte të mbetej nën Serbi.

“Liderët e Luginës së Preshevës kanë qenë shumë të qartë në qëndrimet e tyre, kanë thënë ‘Po’ bashkëngjitjes me Republikën e Kosovës, kanë thënë ‘Po’, por ‘Jo me çdo çmim’. Në qoftë se ne krijojmë destabilitet në rajon, ‘Jo’. Në qoftë se neve na ndajnë, p.sh. thonë Medvegja le të mbesë me Serbinë kurse Bujanoci dhe Presheva i bashkëngjitet, ‘Jo’. Në qoftë se rrezikojmë mbështetjen e ndërkombëtarëve, konkretisht Gjermanisë, atëherë ‘Jo’. Nuk duam ta humbim miqësinë afatgjate”, ka thënë Arifi.

Edhe qytetarët e Luginës së Preshevës thonë se ata qysh në referendumin e vitit 1992 janë shprehur pro bashkimit të Luginës me Kosovën, por se vullneti i tyre nuk është përfillur aspak nga autoritetet shtetërore të Serbisë. Ata thonë se dëshira për bashkim akoma nuk është zbehur dhe shpresojnë se një ditë kjo ëndërr do të bëhet realitet.

Në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, 98% e banorëve të Luginës së Preshevës votuan pro autonomisë territoriale politike, me të drejtë bashkëngjitjeje me Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme