Ligji për Buxhetin i rishikuar, i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është proceduar në Zyrën e Presidentit për dekretim.
Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka konfirmuar për Ekonomia Online, se projektligji nuk është dërguar në Presidencë.
“Ende nuk e kemi pranuar projektligjin nga Kuvendi”, ka thënë ai.
E në anën tjetër, Musli Krasniqi, drejtor për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për Ekonomia Online se ligji është në fazën e inkorporimit dhe harmonizimit të amendamenteve dhe se pas përfundimit të këtij procesi, ai do të procedohet në Zyrën e Presidentit.
“Ligji është në fazën e inkorporimit dhe harmonizimit të amendamenteve, të miratuara në seancë. Pas përfundimit të këtij procesi, ligji do të procedohet në Zyrën e Presidentit”, ka thënë Krasniqi për EO.
Sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi, Kuvendi ka 10 ditë afat që ta procedojë për në Presidencë këtë projektligj, më pastaj, presidenti ka afat që brenda tetë ditësh ta dekretojë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.
Të drejtë ankesë për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese e kanë të gjitha palët e pakënaqur me këtë projektligj.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 30 korrik, Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.