Presidentët e vendeve të NATOS nga Evropa Qendrore dhe Lindore me deklaratë të përbashkët për aneksimin ilegal të Rusisë ndaj territoreve të Ukrainës

Prishtinë | 02 Tet 2022 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Presidentët e vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi përpjekjet ruse për të aneksuar ilegalisht territoret e Ukrainës, pjesë e kësaj deklarate është edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, shkruan Portalb.mk.

Në deklaratë thuhet se presidentët e Evropës Qendrore dhe Lindore, vende, liderët e të cilave kanë vizituar Kievin gjatë luftës dhe kanë dëshmuar me sytë e tyre efektet e agresionit rus, dhe se të njëjtit nuk mund të heshtin përballë shkeljes flagrante të ligjit ndërkombëtar nga Federata Ruse.

Kjo është deklarata e plotë:

“Ne ritheksojmë mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk njohim dhe nuk do të njohim kurrë përpjekjet ruse për të aneksuar ndonjë territor ukrainas.

Ne qëndrojmë me vendosmëri pas vendimit të Samitit të NATO-s në Bukuresht të vitit 2008 në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.

Ne mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus, kërkojmë që Rusia të tërhiqet menjëherë nga të gjitha territoret e pushtuara dhe inkurajojmë të gjithë aleatët që të rrisin ndjeshëm ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën.

Të gjithë ata që kryejnë krime agresioni duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë”.

Pjesë e kësaj deklarate janë presidentët: Stevo Pendarovski- Maqedonia e Veriut, Milosh Zeman- Çeki, Alar Karis- Estoni, Eglis Levitis- Letoni, Gitanas Nauseda- Lituani, Milo Dukanoviç- Mali i Zi, Andrzej Duda- Poloni, Klaus Iohannis- Rumani dhe Zuzana Çaputova- Sllovaki.

Kujtojmë që Ukraina ka paraqitur zyrtarisht kërkesën e saj për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s të premten e kaluar (30 shtator).

Po të njëjtën ditë, Presidenti rus, Vlladimir Putin, shpalli aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija, në të cilat u mbajtën referendume, të cilat Perëndimi i quajti të manipuluara. Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.

Ndryshe, Ukraina është nën agresionin rus që nga 24 shkurti i këtij viti.

Të ngjashme