Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn.
Latifi, përmes një postimi në Facebook, tha se gjatë takimit me Begajn, theksoi rolin dhe vlerat kombëtare të Rahovecit, komunë që historikisht i ka dhënë shumë vendit.
“Paraqita arritjet, sfidat dhe sukseset tona, si dhe pasurinë bujqësore e kulturore që e bëjnë Rahovecin një komunë me potencial të madh zhvillimor”, ka shkruar ai.
Pos tjerash, ai thotë se Begaj ia uroi mandatin e katërt si kryetar i komunës.
Të dy, biseduan edhe për temat që i lidhin si dy shtete dhe një komb i vetëm: për sigurinë, për kulturën, për ekonominë dhe për misionin e përbashkët për të ruajtur e për të përforcuar vlerat kombëtare kudo ku jetojnë shqiptarët.
Në shenjë nderimi të lartë institucional dhe atdhetar, Latifi i dorëzoi presidentit Begaj dekoratën “MEDALJA E LIRISË”, me motivacionin: “Për kontributin atdhetar e humanist, për rolin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare shqiptare në të gjitha etapat e historisë sonë, për angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike në trojet etnike shqiptare.”
Në këtë vizitë, prezent ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.