Bidenit i propozohet të emërojë emisar Special për njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së

Prishtinë | 03 Qer 2024 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duhet të emërojë një ‘emisar special për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

Propozimi erdhi nga Edward Joseph ligjërues në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Washington, në një raport të fundit, përcjell klankosova.tv.

Joseph, në pjesën kushtuar rolit të SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, propozoi gjithashtu se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet t’i sanksionojë liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë ndonjë ‘unifikim’ të këtyre dy vendeve të pavarura.

”Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të njëkohshëm të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të SHBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shkroi Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Siç shkruan Euronews.al, ai ka argumentuar se emërimi i një përfaqësuesi të veçantë u tregon të gjitha palëve, duke përfshirë edhe mosnjohësit në BE, seriozitetin e administratës amerikane për konvergjencën dhe qëllimin e SHBA-së: një zgjidhje dinjitoze, stabilizuese dhe të përhershme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi që do të çojë në përmbylljen demokratike të çështjeve të hapura në këtë rajon.

”Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës… Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”.

”SHBA-ja duhet ta bëjë të qartë, ashtu siç bëri kur sponsorizoi pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, se të gjitha format e ndarjes dhe bashkimit janë të papranueshme dhe se ata që e promovojnë ndarjen apo bashkimin do të sanksionohen. Duke bërë kështu, administrata do të rrisë konvergjencën midis të gjithë homologëve evropianë – njohësve dhe mosnjohësve”.

Të ngjashme