Presidenti, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të ndajë 100 mijë dollarë ndihmë për familjet amerikane që u goditën nga përmbytjet në Houston.
Thaçi ka thënë se shqiptarët janë solidarë dhe se nuk harrojnë ndihmë që populli amerikan e ka bërë për Kosovën.
“Prandaj, i bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të marrë vendim për ndarjen e së paku 100.000 US$ në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë”, ka shkruar Thaçi në Facebook ndër të tjera.
Kjo kërkesë e presidentit Thaci nuk është pritur mirë nga kryeministri Mustafa.
Mustafa përmes një shkrimi në llogarinë e tij, në këtë rrjet sociale ka thënë se e ka vlerësuar të nevojshme që të ndahen 100 mijë dollarë, por ka thënë se presidenti për këto çështje nuk duhet të komunikojë me Qeverinë përmes shkrimeve në rrjetet sociale, por me akte zyrtare.
“Për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielen, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e saj. IM”, ka shkruar Mustafa.
E pas kësaj polemike, zeri.info ka kontaktuar me zyrën për informim të presidencës, të cilët përmes një deklarate, kanë konfirmuar se presidenti zyrtarisht do ta dërgoj kërkesën nesër në Qeverinë e Kosovës.
Qe Zyra per Informim e Presidences konfirmon se te henen, presidenca edhe zyrtarisht do t’i dergoj qeverise se kosoves kerkese per mbeshtetje prej 100 mijë dollarësh për familjet amerikane që u goditën nga përmbytjet në Houston”, thuhet në përgjigjen e presidencës.