Presidenti i Austrisë në Tiranë: Të rrisim bashkëpunimin, mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Prishtinë | 27 Mar 2023 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka nisur vizitën shtetërore në Shqipëri me ftesë të presidentit shqiptar Bajram Begaj.

Në deklaratën e tij për mediat, Van der Bellen ka thënë se me Begaj kanë diskutuar për të rritur më shumë bashkëpunimin mes vendeve teksa ka shprehur mbështetjen e Austrisë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Presidenti i Austrisë ka deklaruar se fokusi është tek çështjet themelore, shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe drejtësi e pavarur.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri dhe ju falënderoj shumë për këtë miqësi kaq të madhe shqiptare. Vizita ime sot është në kuadrin e një tradite të marrëdhënieve shumë të mira që bazohen që në shpalljen e pavarësisë. Diskutuam se si mund ta rrisim akoma dhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve tona. Agjencia austriake për zhvillim është një mbështetës në zbatimin e reformës në drejtësi. Deklaratë mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në shtetin e së drejtës”.

“I nderuar që shkolla austriake gëzon një reputacion shumë të mirë në Shqipëri. Austria mbështet dhe këtu Shqipërinë për sa i përket fushës së arsimit dhe vlerëson ofertën me punonjës të kualifikuar. Mbi 50 biznese austriake ndodhen në Shqipëri. Pasdite do të hapim forumin ekonomik, si zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes vendeve. Jam i lumtur që ftesës sime për të ardhur në Shqipëri i janë bashkuar biznese dhe jemi këtu për të dhënë dhe prezantuar ekspertizën e tyre në interes të përbashkët”.

“Austria njihet si një inkurajues për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Fokusi është tek çështjet esenciale, shteti i së drejtës, të drejtat themelore, drejtësi e pavarur. Dëshirojmë ta inkurajojmë dhe më tej Shqipërinë për t’u afruar dhe më shumë në çështjen e anëtarësimit. Austria do të jetë një mbështetës i madh për Shqipërinë për sa i përket anëtarësimit dhe kjo do të vazhdojë kështu. Ne duhet të qëndrojmë së bashku dhe në solidaritetet në krah të një Ukraine të pavarur”, ka thënë Van der Bellen.

Të ngjashme