Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, tha se kampioni i Bundesligës do të mësojë më shumë për trajnerin që ta zëvendësojë Niko Kovacin brenda tri javëve të ardhshme.
Trajneri Niko Kovac i ndau rrugët me Bayernin pas disfatës zhgënjyese të së dielës me rezultat 5:1 kundër Eintracht Frankfurtit, që e la Bayernin të katërtin në tabelën e Bundesligës me katër pikë larg liderit.
Largimi i Kovacit i dha fund aventurës 15-muajshe të tij në drejtim të skuadrës bavareze, me të cilët e fitoi titullin e Bundesligës dhe të Kupës së Gjermanisë sezonin e kaluar, para se ta kishte një fillim të vështirë në këtë sezon të ri.
Përveç disfatës kundër Frankfurtit, Bayerni ka pësuar disfatë edhe kundër Hoffenheimit, përderisa ka humbur pikë edhe kundër Augsburgut, Leipzigut dhe Hertha Berlinit në kuadër të Bundesligës.
Kampioni në fuqi i Bundesligës dështoi edhe në Superkupën e Gjermanisë, duke pësuar disfatë më rezultat 2:0 kundër rivalit Borussia Dortmund, për ta nisur sezonin e ri me humbje.
Hans Fick është emëruar në pozitën e trajnerit të përkohshëm, para sfidës të radhës së Bayernit – në ndeshjen e së mërkurës kundër Olympiacosit në Ligën e Kampionëve dhe në ndeshjen e së shtunës kundër Borussia Dortmundit në Bundesligë.
Pas kësaj do të ketë një pauzë shkaku i ndeshjeve të ekipeve kombëtare, ndërsa ndeshja vijuese e Bayernit do të zhvillohet më 23 nëntor kundër Fortuna Dusseldorfit.
Për pozitën e trajnerit tashmë janë spekuluar Ralf Rangnick, Erik ten Hagu i Ajaxit, Arsene Wenger, Massimiliano Allegri dhe Jose Mourinho. Megjithatë, Hoeness nuk e konfirmoi asnjërën prej tyre.
“Gjithçka është thënë më për këtë temë. Mendoj se deklarata jonë për shtyp e lëshuar të dielën ishte shumë e detajuar. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë javët e ardhshme. Nuk është e rëndësishme tani, i kam tre javë për ta shqyrtuar çdo mundësi. Mendoj se e morëm vendimin e duhur”, ka thënë Hoeness.
“Ne gjithmonë e kemi pasur një lidhje të mirë me Niko Kovacin dhe e arritëm një marrëveshje të përbashkët. Nuk ka të palara që mund t’i zbuloj. E kam telefonuar atë sot, gjithçka është në rregull. Tani e kam ndjenjën se ai është liruar nga një presion i madh”.
Trajneri i Ajaxit, Ten Hag, veçse i ka mohuar spekulimet se ai do të jetë trajneri i Bayernit, duke thënë se ai synon ta përfundojë sezonin me klubin holandez.