Presidenti i Brazilit paditet në Hagë për krime kundër njerëzimit

Prishtinë | 12 Tet 2021 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Një grup i avokatëve të klimës kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke i bërë thirrje këtij organi që ta hetojë Presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro, për sulmet ndaj Amazonës, që, sipas këtij grupi, përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Organizata jofitimprurëse austriake, “AllRise” e dorëzoi ankesën në gjykatën me seli në Hagë të martën. Kjo organizatë pretendon se veprimet e Bolsonaros dhe të administratës së tij janë “sulm i gjerë ndaj Amazonës, ndaj të varurve ndaj saj dhe ndaj mbrojtësve të saj që jo vetëm rezultojnë në përndjekjen, vrasjen e vuajtjet çnjerëzore në rajon, por gjithashtu ndaj popullsisë botërore”, thuhet në deklaratë.

Në ankesën me 286 faqe thuhet se ka bazë për hetim e ndjekje penale urgjente e të plotë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shkruan CNN.

Dokumenti e citon “sulmin e vazhdueshëm e të gjerë ndaj Amazonës së Brazilit dhe ndaj të varurve e mbrojtësve të saj në kundërshtim me Nenin 7 dhe Nenin 25 të Statutit të Romës”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk zotohet për ndonjë afat kohor për analizimin e materialit që ka pranuar.

Televizioni CNN i është drejtuar zyrës së presidentit brazilian për të marrë një koment, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Të ngjashme