Presidenti i Brazilit refuzon ndihmën për zjarret në Amazon

Prishtinë | 27 Gus 2019 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka refuzuar ndihmën prej 20 milionë eurosh që vendet e G7-tës do të ofronin për shuarjen e zjarreve të cilat vazhdojnë prej 3 javësh në Amazon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bolsonaro pretendon se pas ideve të tilla për ndihmë të presidentit francez Emmanuel Macron qëndrojnë qëllime të ndryshme.

“Ne nuk mund të lejojmë që një president, Macron, të lëshojë sulme të paarsyeshme dhe të pavend kundër Amazonës dhe as të fshehë qëllimet e tij të vërteta prapa idesë së një ‘aleance të vendeve të G-7’ të formuar për të ‘shpëtuar’ Amazonën, sikur ne të ishim një koloni apo një tokë pa pronar”, ka deklaruar Bolsonaro në një postim nga llogaria e tij në rrjetin social.

Ai ka thënë se për të luftuar me zjarret që vazhdojnë në Amazon ka biseduar me presidentin e Kolumbisë Ivan Duque, rreth një plani i cili duke bashkuar shumicën e vendeve që ndajnë rajonin e Amazonës garanton sovranitetin dhe pasurinë natyrore.

Presidenti brazilian Bolsonaro ka refuzuar propozimin e vendeve të G7 për ofrimin e një mbështetjeje prej 20 milionë eurosh për shuarjen e zjarreve pyjore në Amazon, me idenë se kjo do të dëmtonte sovranitetin.

Në një konferencë për media me presidentin e Kilit, Sebastian Pinera, presidenti francez Macron njoftoi se vendet e G7 do të ofrojnë një mbështetje prej 20 milionë eurosh për të shuar zjarret në Amazon.

Tensionet mes Francës dhe Brazilit filluan javën e kaluar kur Macron u bëri thirrje vendeve të G7 për një takim urgjent për zjarret në Amazon ndërsa Bolsonaro akuzoi Macron-in se kishte një “mentalitet kolonial”.

Ndërkohë, një ndjekës i Bolsonaro-s në faqen e rrjetit social Facebook, postoi një fotografi ku tallej me pamjen e jashtme të Brigitte Macron, bashkëshortes së presidentit francez ndërsa Bolsonaro gjithashtu duke iu referuar Macron-it, komentoi “Mos e poshtëroni njeriun, hahaha”.

Macron e quajti komentin e Bolsonaro-s si “plotësisht mosrespektues” duke thënë: “Çfarë mund të them? Është shumë e trishtuar, por së pari e trishtuar për të (Bolsonaro) dhe për popullin e Brazilit”.

Të ngjashme