Presidenti i Brescias, Massimo Cellino, e ka pranuar se ka gabuar që e ka sjellë në klub sulmuesin italian Mario Balotelli, për të cilin thotë se është shumë i papjekur, si një fëmijë i llastuar.
Ish-pronari i Cagliarit dhe Leeds United shpesh ka kërcënuar se do të largohet nga futbolli dhe tani është presidenti i vetëm në Serie A që po kërkon që sezoni aktual të anulohet.
“Ky nuk është futbolli im më. Nuk ka të ardhme. Është bërë e pamundur të jesh president. Nuk më bën më se a kthehemi për të luajtur apo jo. Është e turpshme që Italia po qëndron duar kryq duke e pritur UEFA-n dhe Gjermaninë për të na dhënë udhëzime se çfarë duhet të bëjmë tutje. Le të vendosin një herë e përgjithmonë, por shpejt”, tha Cellino.
Cellino tha që i ka bërë disa gabime gjatë këtij sezoni, përfshirë blerjen e Balotellit.
“E doja Balotellin, por ai doli të jetë shumë i cekët dhe fëmijë në sjelljet e tij jashtë fushës. Por të jem i qartë, ne nuk do të biem në Serie B për shkak të Marios. Nëse një fëmijë është i pasjellshëm, faji është i prindërve, pra me siguri ne nuk jemi marrë siç duhet me të”, shtoi ai.