Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se plani i tij për ta mbajtur Kupën e Botës çdo dy vjet mund t’i ndalë emigrantët afrikanë nga mbytja në det, në një fjalim të jashtëzakonshëm para politikanëve evropianë.
Duke folur në një seancë të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Infantino tha se vendet jashtë Evropës kanë nevojë për qasje më të madhe në garat e futbollit të kombëtareve, për t’i parandaluar pasojat drastike, raporton Gazeta Express.
Infantino po fliste për strategjinë e njohur si “e Ardhmja e Futbollit”, e cila deri më sot është përqendruar në mbajtjen e garës kryesore të FIFA-s çdo dy vjet.
Infantino tha në asamble: “Kjo temë nuk është se a duam ne ta mbajmë Kupën e Botës çdo dy vjet apo jo, por është për atë se çfarë duam të bëjmë ne për të ardhmen e futbollit”.
“Nëse ne mendojmë edhe për vendet e tjera të botës dhe për shumicën dërrmuese të Evropës, atëherë duhet të mendojmë se çfarë sjell futbolli. Futbolli është mundësi, shpresë dhe është për ekipet kombëtare. Ne nuk mund t’iu themi vendeve të tjera të botës na jepni para, por na shikoni në TV. Ne duhet t’i përfshijmë edhe ato”, shtoi ai.
“Ne duhet të gjejmë mënyra për ta përfshirë të gjithë botën për t’iu dhënë shpresë afrikanëve, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë ta kalojnë Mesdheun në kërkim të një jete ndoshta më të mirë, por mbase, të vdekjes në det”, nënvizoi ai.
Infantino përfundoi: “Ne duhet t’iu japim atyre mundësi, t’iu japim dinjitet. Jo përmes bamirësisë, por duke i lejuar të marrim pjesë. Mbase Kupa e Botës çdo dy vjet nuk është përgjigja. Flasim”.