Një deklaratë jashtë çdo kodi diplomatik e ka bërë Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, gjatë një kremtimi.
Ai i ka quajtur çamët “kriminelë” dhe “bashkëpunëtorë të nazistëve”.
“Nuk ka perspektivë, ecuri, të Shqipërisë drejt zonës evropiane, kur për fat të keq, ende edhe sot nuk i ka braktisur kërkesat e pakonceptueshme të gjoja të drejtave të çamëve kriminelë, bashkëpunëtorë të nazistëve. Çfarë duhet të bëjmë, t’u japim të drejtë bashkëpunëtorëve të nazistëve?! Jemi absolutisht të sinqertë, qëndrimi ynë nuk ka asgjë hakmarrëse. Qëndrimi ynë kërkon respektin e së drejtës dhe të historisë,” ka deklaruar Pavlopoulos.
Një deklaratë e tillë, me një gjuhë denigruese, fyese e kërcënuese, është tejet e rrezikshme për raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë, njofton Klan Kosova.