Presidenti i Iranit është zotuar të marrë masa kundër protestuesve pas më shumë se një jave demonstratash antiqeveritare.
Presidenti Ebrahim Raisi u zotua të “merret me vendosmëri” me protestat, të cilat tani janë përhapur në shumicën e 31 provincave të Iranit, raporton BBC, transmeton Express.
Zyrtarët thonë se rreth 35 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i protestave për vdekjen e Mahsa Amini në paraburgimin e policisë.
Vajza e ndjerë ishte arrestuar për dyshime se kishte thyer rregullat e shamisë. Oficerët thuhet se e kanë rrahur kokën me shkop dhe i kanë përplasur kokën në një prej automjeteve të tyre. Policia ka thënë se nuk ka prova për ndonjë keqtrajtim dhe se ajo pësoi “insuficiencë të papritur të zemrës”.
Dhe ndërsa Raisi thotë se vdekja e saj do të hetohet, ministri i tij i Brendshëm Ahmad Vahidi ka këmbëngulur se Amini nuk është rrahur.
“Janë marrë raporte nga organet mbikëqyrëse, janë intervistuar dëshmitarët, janë shqyrtuar videot, janë marrë mendimet mjekoligjore dhe është konstatuar se nuk ka pasur rrahje”, tha ai.
Videot që qarkullojnë në mediat sociale kanë kapur trazira të dhunshme në dhjetëra qytete anembanë vendit gjatë ditëve të fundit, me disa që tregojnë forcat e sigurisë që gjuanin municion të vërtetë mbi protestuesit në qytetet veriperëndimore Piranshahr, Mahabad dhe Urmia.
Më shumë përleshje në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Teheran, u raportuan të shtunën. Raportohet se demonstruesit po shpërndahen për të shmangur grumbullimin në një vend të vetëm.
Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe imazhe të reja që tregojnë protestuesit duke hedhur bomba me benzinë ndaj forcave të sigurisë.
Ndërkohë, grupi reformist, Unioni i Partisë Popullore të Iranit Islamik, ka bërë thirrje që kodi i detyrueshëm i veshjes të shfuqizohet dhe të lejohen ” demonstrata paqësore”.