Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, nënshkroi ligjin që kufizon të drejtat e migrantëve dhe përshpejton përpunimin e kërkesave për azil.
Masa vjen në kohën kur një numër në rritje i njerëzve po kalojnë kufirin nga Bjellorusia në Lituani.
Sipas shërbimit të rojes kufitare lituaneze, gati 2,100 migrantë të paligjshëm kanë hyrë në Lituani nga Bjellorusia këtë vit, përfshirë 1,400 vetëm këtë muaj.
Vilniusi thotë se azilkërkuesit po organizohen nga Qeveria e udhëheqësit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për ta ndëshkuar Lituantinë, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë opozitës demokratike në Bjellorusi.
Sipas Vilniusit, regjimi i Lukashenkës po përpiqet të bëjë presion edhe te Bashkimi Evropian.
BE-ja, pjesë e së cilës është Lituania, i ka vendosur sanksione Bjellorurisë, pasi kjo e fundit ka detyruar një fluturim të kompanisë Ryanair të aterojë në Minsk, për të arrestuar një bloger opozitar dhe të dashurën e tij.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka sugjeruar ditë më parë se Lukashenka mund të përballet me sanksione të mëtejshme, për shkak të rritjes së numrit të migrantëve të paligjshëm që kalojnë nga Bjellorusia në Lituani.
Ligji i ri, i cili u miratua në Parlamentin e Lituanisë më 13 korrik, lejon që migrantët të ndalohen deri në gjashtë muaj dhe e bën më të vështirë për ta që të apelojnë kundër refuzimeve të azilit.
Masa është kundërshtuar nga Kryqi i Kuq dhe organizatat tjera joqeveritare, pasi, sipas tyre, ajo shkel detyrimet ndërkombëtare të Lituanisë dhe të drejtat e migrantëve