Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se ky përvjetor i 18-të i pavarësisë është dëshmia që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, raporton Ekonomia Online.
Ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku u mbajt seanca solemne në 18 vjetorin e pavarësisë, tha se Kosova ecën drejt së ardhmes, duke mos harruar themelet mbi të cilat u ndërtua, e ku theksoi se Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj.
“Sot Kosova mbush 18 vjeç; në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ecën me hapa të sigurt drejt të ardhmes, pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha Begaj.
Ai ka theksuar se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa kontributin e ish-drejtuesve të luftës, duke përmendur proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë si sfidë aktuale për ish-udhëheqësit dhe për narrativën historike të luftës.
“Në këtë përvjetor, mendimi ynë shkon tek ata që nuk janë fizikisht mes nesh. Në zemrat tona janë dëshmorët e lirisë aty ku ata prehen. Por sot, mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, lirinë për familjet e tyre, për tokën e tyre, gjuhën e tyre, të drejtat e tyre, janë siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë, kudo, kurdo e në çdo kohë, simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore e kombëtare. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në”, tha ai.
