Gara e re e futbollit evropian, Liga e Kombeve, do t’i japë përfaqësueseve një shtytje kur të nisë muajin e ardhshëm. Kështu ka vlerësuar presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Slloveni Çeferin ka thënë se miqësoret e përfaqësueseve kanë dështuar të japin ndeshje kuptimplota dhe se është dashur një balancë e re mes futbollit të klubeve dhe atyre të përfaqësueseve, shkruan sot Koha Ditore.
Liga e Kombeve, që do të mbahet çdo dy vjet, përfshin të gjitha 55 përfaqësueset e federatave anëtare të UEFA-s të ndara në katër divizione – nga Liga A deri në D – që janë të ndara në katër grupe dhe ndeshjet do të luhen mes shtatorit dhe nëntorit.
Do të ketë ngritje në rangje dhe rënie, derisa divizioni elitar do të përfundojë me një mini-turne me katër përfaqësuese, që do të mbahet në qershor të vitit të ardhshëm, për të vendosur për kampionin e Ligës së Kombeve.