Presidenti kroat: Disa vende nuk dinë ta argumentojnë pse nuk e kanë njohur Kosovën

Prishtinë | 27 Pri 2023 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka deklaruar se Kosova është një shtet i pavarur në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një deklarate të përbashkët me presidentin Bajram Begaj, Milanoviç thekson se Kosova është një realitet i pa kontestueshëm, ndërsa Serbia ndodhet në një situatë politike skizofrenike, të dyjëzuar.

Sipas Milanoviç, ajo çka përbën interes është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovë-Serbi.

“Kosova është një realitet. Numri më i madh i vendeve të BE-së dhe NATO-s e kanë pranuar, disa vende nuk e kanë pranuar, por po t’i pyesësh “pse nuk e kanë pranuar” as ato vetë nuk dinë ta argumentojnë arsyen pse .Ndonjëherë kjo është e mirë, ndonjëherë e rrezikshme, dhe ndonjëherë njerëzit sillen sipas shprehisë. Shprehitë janë të ndryshme.Kroacia e ka pranuar Kosovën. Ky është një realitet. Do bëjmë çdo gjë që të mundemi dhe asnjëherë me synimin për të provokuar Serbinë, por me synimin që t’i ndihmojmë sa të jetë e mundur. E dimë që është e vështirë, por duam t’i bindim që Kosova është një realitet.Pra nuk është e shëndetshme të kemi një stil patronazhues, mentorues për të bindur një vend që ajo çfarë ne po bëjmë është në interesin e tyre. Flas këtu për Serbinë. Unë nuk dua të vlerësoj çfarë është në interesin e tyre pasi nuk jam president apo qytetar i Serbisë, por realiteti është i tillë që Kosova është pjesë e Evropës dhe në një të ardhme jo shumë të largët do të njihet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, dhe që tani Serbia gjendet këtu në një situatë skizofrenike. Nuk dua të jap aluzione klinike, por ndodhet në një situatë politike skizofrenike, e dyjëzuar…”, ka thënë ai.

Dy presidentët kanë propozuar një linjë direkte ajrore Shqipëri-Kroaci./teve1

Të ngjashme