Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka akuzuar të mërkurën kryeministrin Edi Rama, për nxitje të ”dhunës kundër opozitës” duke e përshkruar qeverinë e tij si një ”regjim kleptokratik” dhe ”një kopje e shëmtuar e së kaluarës komuniste”.
Duke folur për Associated Press, Meta fajësoi kryeministrin shqiptar Edi Rama, për shtyrjen e integrimit evropian dhe e akuzoi atë për keqmenaxhim të pandemisë së koronavirusit, njofton Klan Kosova.
Ai gjithashtu akuzoi Ramën për imponimin e vullnetit të një pakice në shumicën e popullsisë.
Roli i presidentit pesëvjeçar në sistemin e republikës parlamentare të Shqipërisë është kryesisht ceremonial me disa kompetenca në gjyqësor dhe forcat e armatosura.
Ai pritet të jetë jopolitik dhe simbol i unitetit të vendit. Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare të dielën.
Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se Partia Socialiste e Ramës ka të ngjarë të kryesojë në zgjedhje.
Sipas Associated Press zgjedhjet e së dielës do të jenë vendimtare që Bashkimi Evropian të vendosë për fillimin e negociatave të plota me kombin e vogël Ballkanik.
Tutje aty potencohet se, parregullsitë kanë dëmtuar zgjedhjet e mëparshme në Shqipërinë post-komuniste.