Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta bashkë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn dhe kreun e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin kanë qëndruar për ngushëllime nëfamiljen Abazi në Livoç të Gjilanit, e cila humbi dy djem në tërmetin që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri, raporton Ekonomia Online.
Meta tha se ndjenja e solidaritetit dhe vëllazërore që po ekziston mes dy vendeve po lehtëson dhimbjen e çdo qytetari në Shqipëri, por edhe të familjes Abazi.
“Nuk mund të mos vija sot në Gjilan për të ndarë dhimbjen me familjen Abazi për humbjen e dy njerëzve mjaft të dashur që është një humbje e pazëvendësueshme e cila ishte pjesë e gjithë aty humbjeve njerëzve që pësuan në tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri. Besoj që me këtë ndjenjë të solidaritetit që ekziston mes dy vendeve tona që është një ndjenjë tepër vëllazërore dhe njerëzore. Dhimbja do të jetë më e lehtë. Kjo familje do të ketë mundësi për të përballuar atë me mbështetjen e të gjithë neve në mënyrë edhe ata fëmijë që kanë humbur prindërit e tyre të ketë mbështetjen për një të ardhme më të mirë” , tha Meta.
Isa dhe Shemsedin Abazi kanë ndërruar jetë pas tërmetit të 26 nëntorit që e goditi Shqipërinë.
Trupat e pajetë të tyre u nxorrën nga gërmadhat e hotelit ku ishin duke qëndruar, një ditë pas tërmetit.
Paraprakisht, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka ndarë dekorata për njësitet e kërkim-shpëtimit të Kosovës që shërbyen në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit tragjik si dhe ka zhvilluar një takim me kreun e LDK-së,Isa Mustafën dhe nënkryetarët e kësaj partie.