Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë edhe në Akademinë Përkujtimore në 20 vjetorin e masakrës në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan të Pejës.
Presidenti Thaçi ka thënë se në këtë ditë, të gjithë i kujtojmë, respektojmë dhe nderojmë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e Qyshkut me rrethinë, që u vranë nga ushtria dhe policia e Serbisë.
“Kur pritet në javët e ardhshme të shënojmë 20 vjetorin e fitores, mbetet brengë e madhe për të gjithë ne si institucione të Kosovës, si shoqëri e Kosovës, por mbi të gjitha në ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare edhe sot e kësaj dite, pas 20 vitesh, prej 400 masakrave që ka kryer shteti i Serbisë, ende nuk është dënuar asnjë njeri nga shteti i Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se kjo është padrejtësi, është diskriminim, është edhe fyerje për integritetin dhe dinjitetin e viktimave dhe për vetë popullin e Kosovës.
Ai ka theksuar se tani shteti i Kosovës, Kryetari i Parlamentit, në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë unike të gjithë pa dallim do të nxjerrin rezolutën që i dënon të gjitha krimet, rezolutën që e dënon gjenocidin e kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë.
“Unë kam besim të plotë se kjo rezolutë do të përcillet me hapat vijues për implementimin e plotë të së drejtës sonë, që të gjithë kryerësit e veprave kriminale dhe të spastrimit etnik, të vrasjes së mbi 13.500 civilëve dhe dhunimit të rreth 20.000 grave, të gjithë këta njerëz të aparatit të shtetit të Serbisë të ballafaqohen me drejtësinë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi gjatë ditës ka marrë pjesë edhe në Akademinë Përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së Komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazit – komandant “Bardhi”, si dhe bashkëluftëtarëve të tij Selim Shehu, Rizvan dhe Xhezair Bela, Sakip Mulaku, Ejup Dushkaja, Burhan Zeneli dhe Hesat Axhamisi.