Presidenti Hashim Thaçi, në mbledhjen komemorative për nder të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, ka thënë se ai është një ndër personalitetet më emblematike me të cilët ka punuar, raporton Ekonomia Online.
“Në karrierën time politike ai ishte një ndër personalitetet më emblematike që kam punuar. Ai u shqua për profesionalizëm dhe humanizëm. Në vitet 1998-1999, ai gjendej kudo ku ishte beteja: në Shalë, në Llap, Drenicë, Mitrovicë. Përherë ishte pranë ushtarëve dhe qytetarëve të plagosur. Doktor Bajram Rexhepi, ishte mjeku i parë i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK). Ai i besonte drejtësisë, luftës për liri. Kudo që ishte mbillte shpresë, optimizëm dhe besim”, ka thënë Thaçi.
“Bajram Rexhepi i besonte luftës për liri. Ai u dedikua më tërë forcën par bashkimin e qytetit të Mitrovicës, derisa u angazhua me tërë kredibilitetin njerëzor në strukturat e PDK-së, që nga themelimi i saj. Për rreth dy dekada ishte ndër liderët kryesor të partisë. Me Bajramin kam vizituar dhe takuar shumë qytetar, nëpër fshatra dhe lagje, ku nga të gjithë respektohej dhe çmohej shumë”, ka thënë presidenit Thaçi në mbledhjen komemorative për nder të Bajram Rexhepit.
Presidenti Thaçi, para familjarëve, kolegëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ka thënë se Bajram Rexhepi kishte profil të lartë politikani, me mbështetje te qytetarët dhe përkrahje edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë, Rexhepi kreu me nder përgjegjësitë shtetërore, qoftë si kryetar komune, qoftë si ministër i Punëve të Brendshme.
Presidenti ka thënë se Bajram Rexhepi shquhej si familjar i dashur dhe i kujdesshëm, qytetar parimor, njeri i matur, veprimtar i urtë, politikan i moderuar dhe mjaft transparent.
“Atë që e mendonte, e thoshte. Ishte personalitet me integritet të lartë dhe i respektueshëm në nivel nacional”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi, në fund, ka theksuar se me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit një burrështetas të shquar.
Ai ka thënë se bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij do ta ruajnë përjetë kujtimin për të.
“Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij do të na udhëheqin në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë. Lavdi jetës, veprës dhe emrit të dr. Bajram Rexhepit”, ka thënë presidenti.
Një ditë më parë, presidenti Thaçi mori vendim për shpalljen e ditës së sotme, 22 gushtin, ditë zie në Kosovë, në shenjë nderimi për ish kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin.