Presidenti Thaçi informohet nga Daka, Lumezi dhe Maxhuni për hetimet rreth rastit të punëtorëve të KQZ-së

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, të cilët e kanë informuar për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur prej jashtë Kosovës në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës.

Presidenti Thaçi kërkoi nga institucionet shtetërore relevante që rasti të hetohet deri në fund.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai u shpreh se është inkurajuese që të gjitha institucionet përgjegjëse i kanë marrë masat e duhura.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve.

Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

Presidenti Thaçi ftoi për përmbajtje deri në përfundim të hetimeve.

“Ftoj për përmbajtje nga deklarimet politike dhe nga raportimet e pakonfirmuara deri në përfundimin e hetimeve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme