Presidenti, Hashim Thaçi ka nderuar Idriz Seferi me urdhrin “Hero i Kosovës”. Thaçi nën ceremoni të lartë shtetërore në Gjilan, ka qenë pjesë e zbulimit të shtatores së heroit Idriz Seferit.
”Idriz Seferin e Isa Boletinin i përjetësoi trashëgimia popullore dhe folklorike. Idriz Seferi nga sot shpallet me urdhrin më të lartë nga Presidenti i Kosovës, “Hero i Kosovës”.
Thaçi tha se shtatorja e Idriz Seferit po inaugurohet në prag të 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e po ashtu në prag të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
”Ndihem jashtëzakonisht i nderuar që sot gjendem në qytetin e Kadri Zekës, Agim Ramadanit, e shumë heronjve të kombit që kjo krahinë i dha Kosovës e gjithë shqiptarisë. Sot në këtë qytet u ngrit shtatorja e një plisi. Shtatorja e komandantit e strategut të madh Idriz Seferit u inaugurua në prag të 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”.
”Idriz Seferi, u shqua për guxim, trimëri e gatishmëri, e sakrificë sikurse burrat e mëdhenj si Mic Sokoli të cilët nuk u zmbrapsën asnjëherë nga ruajtja e tokave shqiptare në realizimin e idesë për pavarësi. Idriz Seferi dha një kontribut historik në kryengritje të vendit që çuan në Pavarësinë e Shqipërisë. Me urtësinë e tij Idriz Seferi u shqua edhe në Kuvende ku arriti të pajtonte njerëz në konflikte”.