Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Samitin e SEECP-së, i njohur si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë.
Para presidentëve të rajonit dhe pjesëmarrësve tjerë në këtë samit, presidenti Thaçi ka falënderuar presidenten kroate Grabar-Kitaroviq dhe Kroacinë për një kryesim të suksesshëm të SEECP-së.
Presidenti Thaçi ka theksuar se bashkëpunimi është çelësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por edhe për të ardhmen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Përkundër faktit se ende kemi sfida jo të lehta në rajonin tonë, unë mendoj se zhvillimet e fundit na kanë dhënë arsye për optimizëm se gjerat përsëri mund të shkojnë në drejtimin e duhur”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se është e vërtetë se muajve të fundit shumica e vendeve të rajonit kaluan nëpër periudha të testeve të domosdoshme demokratike, që në disa raste u shoqëruan edhe me paqartësi politike, por këto zhvillime politike konfirmojnë gjithashtu se qytetarët e rajonit parapëlqejnë opsionet politike që nxisin dialogun, bashkëpunimin dhe integrimin.
“Mesazhi është i qartë – ne e duam BE-në, për shkak të vlerave që ajo përfaqëson dhe mundësive ekonomike që ofron. Ky është mesazhi më i mirë për rajonin, nga rajoni, mirëpo edhe për BE-në dhe NATO-n”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Para homologëve të rajonit dhe përfaqësuesve të BE-së, presidenti ka thënë se ky është gjithashtu mësimi më i mirë për të gjithë ata që e shikojnë rajonin tonë me dyshim.
Sipas tij, momentumi i mirë në rajon korrespondon me momentumin pozitiv që ngadalë po krijohet edhe në BE, duke theksuar se zgjedhjet në Austri, në Holandë e në Francë kanë dhënë një shpresë të re për të gjithë ne, duke dëshmuar se idetë populiste që po kërcënonin vetë idenë e Bashkimit Evropian ishin jetëshkurtra.
“E ardhmja nuk qëndron në ndarje, por në integrim. Kjo është arsyeja pse forumet si ky janë të rëndësishëm për të gjithë ne, për të rikonfirmuar përkushtimin tonë për bashkëpunim rajonal, por edhe për realizimin e aspiratave tona reale për anëtarësim në BE dhe NATO”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi para shumë presidentëve dhe ministrave të rajonit ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për pjesëmarrje në SEECP, duke dhënë kontributin e vet meritor.
Duke u bazuar në këtë përkushtim, ai ka thënë se është paraqitur propozimi që Kosova të marrë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në të ardhmen e afërt.
“Ne jemi të inkurajuar nga mbështetja që ky propozim ka marrë. Kjo është dëshmia se SEECP-ja mbetet një forum që promovon vlerat e barazisë, gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë, presidenti Thaçi ka thënë se kanë kaluar gati dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe pothuajse një dekadë që kur Kosova u bë shtet i pavarur.
“Ne i dimë fare mirë rreziqet e konfliktit dhe vuajtjet që shkakton lufta. Kjo është arsyeja pse ne jemi të vendosur për një kapitull të ri për rajonin tonë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe për vizitat që ua ka bërë pjesëtarëve të komuniteteve që kanë pësuar nga lufta.
“Doja jo vetëm që të njihja dhimbjen dhe vuajtjet e tyre, por edhe të mbështesja përpjekjet për pajtim dhe drejtësi”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve respektive, Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë rezultate pozitive. Prandaj, unë edhe tani si president shpreh gatishmërinë për vazhdimin e këtij dialogu, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve tona ndërshtetërore”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në kuadër të këtij samiti, presidenti Thaçi gjatë ditës do të zhvilloj takime edhe me përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse.