Presidenti Thaçi po shqyrton amnistimin e vëllezërve Ramadani dhe Kiqina

Prishtinë | 28 Dhj 2017 | 23:11 | Nga

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pritet që së shpejti ta ketë në tavolinë mundësinë që t’u falë dënimin e mbetur dy vëllezërve Ramadani dhe Arben Kiqinës.

KALLXO.com mëson se Presidenca së fundmi ka kërkuar nga Shërbimi Korrektues verifikimin e të dhënave për disa të burgosur ku përfshihen edhe tre të dënuarit për rastin Hajra.

Në listën e të burgosurve për të cilët presidenti ka kërkuar informacione për falje janë edhe Burim dhe Arsim Ramadani dhe Arben Kiqina.

“Në bazë të një kërkese të Presidencës ne kemi dorëzuar një listë me 10 deri 15 veta”, ka thënë drejtori i burgjeve Sokol Zogaj.

Ai ka sqaruar se nuk kanë informacione nëse shqyrtimi i kërkesave për falje do të ndodhë këto ditë.

Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001.

Ardian Arifaj nga Presidenca i pyetur për këtë çështje tha: “Vetëm nesër mund t’u japim informacione, por kjo është çështje e komisionit .

Arifaj nuk dha informacione nëse Presidenti është duke planifikuar ndonjë raund të faljeve.

Njëri nga anëtarët e këtij komisioni, kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala i ka konfirmuar KALLXO.com se komisioni i Presidencës për trajtimin e kërkesave për falje është mbledhur sot dhe pritet të mbidhet edhe nesër për të trajtuar këtë listë.

“Nuk mundem ende të flas me emra për shkak se janë gjëra konfidenciale. Komisioni ende nuk i ka dhënë rekomandimet për listën prej diku rreth 15 personash”, ka thënë Shala.

Ai ka konfirmuar se komisioni do mblidhet edhe të premten për të trajtuar kërkesat.

Rasti “Kiqina” njihet si një ndër lëndët gjyqësore penale më të gjata në Kosovë – me 107 shqyrtime gjyqësore vetëm sa gjykohej në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.

Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme