Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Duke i uruar suksese në misionin e ri në Kosovë, presidenti Thaçi i ka ofruar ambasadorit të ri të Gjermanisë bashkëpunim të plotë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Gjermania është adresë e rëndësishme politike e Kosovës në Evropë. Jemi mirënjohës për mbështetjen që populli gjerman ka dhënë në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim është biseduar edhe për sfidat për tejkalimin e pandemisë COVID-19.
Nga ana tjetër, ambasadori i ri gjerman, Jörn Rohde, ka theksuar se Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.
Presidenti Thaçi është shprehur optimist se gjatë kryesimit të Bashkimit Evropian nga ana e Gjermanisë do të mund të jetësohet edhe liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, pasi që Kosova tash e disa vjet i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.