Duke i uruar për Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, presidenti Thaçi pohoi se përkundër rritjes së përkrahjes dhe legjislacionit modern e afirmativ për komunitetet në Kosovë, ky komunitet ende po ballafaqohet me kushte më të vështira të jetesës.
“Kemi përmirësim të gjendjes, mirëpo mbetet edhe shumë punë për të bërë, që së bashku ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, por me theks të veçantë të komunitetit rom”, tha presidenti Thaçi.
Ndërsa, Kryetari i Partisë Rome, AlbertKinolli, u shpreh i kënaqur me përfshirjen e komunitetit rom në institucionet shtetërore, por theksoi se qytetarët e këtij komuniteti kanë nevojë për përkrahje më të madhe.
“Edhe në ditë feste të komunitetit rom dhe të kulturës sonë, ne do të mundohemi që ta rrisim ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet komuniteti ynë”, tha Kinolli.
Presidenti Thaçi shtoi se është shumë e nevojshme përfshirja e komunitetit rom në të gjitha sferat shoqërore, që të gjithë të ndjehen të barabartë në shoqërinë tonë.