Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Qendrën Klinike Universitare, ku ka shprehur mirënjohje për mjekët, infermierët, teknikët, çdo punëtor shëndetësor, çdo punëtor të QKUK-së, për sakrificën e tyre dhe angazhimin e pakursyer që të tejkalohet sa më lehtë dhe sa më mirë situata e krijuar nga virusi COVID19.
“Kam respektuar protokollin e institucioneve shëndetësore dhe kam pasur lëvizje të kufizuara. Kam takuar mjekët që po e udhëheqin tërë këtë angazhim. Shëndeti i qytetarëve është në duart e mjekëve, profesionistëve, klinikave të QKUK-së, Institutit të Shëndetit Publik dhe kam besim të plotë, për këtë u binda edhe sot, në stafin mjekësor, në kapacitetet dhe profesionalizmin e tyre, që është model për rajonin”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit përsëri i ka ftuar qytetarët për kujdes maksimal, për solidaritet të ndërsjellë, për qetësi dhe përmbajtje.
“Jam i bindur se së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë situatë. Dëgjoni dhe respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, shtoi ai.
Presidenti ritheksoi se mënyra më e mirë për të preventuar dhe luftuar virusin COVID19 është që qytetarët të rrinë në shtëpi.
“Duke qëndruar në shtëpi ruani veten, familjen dhe shoqërinë. Rrini në shtëpi, mos dilni pa nevojë”, përfundoi presidenti Thaçi.