Presidenti Trump del nga Uashingtoni për herë të parë që prej 28 marsit

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump, që kishte qëndruar prej javësh në Shtëpinë e Bardhë për shkak të izolimit prej koronavirusit, shkoi të premten në rezidencën presidenciale Camp David në Maryland për të kaluar fundjavën.

Kur helikopteri i tij u nis, ishte hera e parë që zoti Trump linte Shtëpinë e Bardhë që nga 28 marsi kur shkoi në Norfolk të Virxhinias, për të qenë i pranishëm kur anija-spital e marinës amerikane, u nis për në Nju Jork.

Zoti Trump u tha gazetarëve para se të largohej se do të respektonte distancimin fizik dhe se ka në plan të kalojë një fundjavë pune, gjatë së cilës do të bëjë telefonata me udhëheqës të huaj.

Ai do të kthehet në Uashington të dielën, kur do të marrë pjesë në një diskutim virtual nga memoriali i Linkolnit. Presidenti Trump ka në plan të bëjë një udhëtim Feniks të Arizonës të martën. Nënpresidenti Mike Pence ka bërë disa udhëtime jashtë Uashingtonit për të ndjekur përpjekjet për të luftuar koronavirusin./VOA

Të ngjashme