Presidenti ukrainas i përgjigjet palës ruse që i ftoi në Bjellorusi për negociata

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Rusia ka dërguar një delegacion në Bjellorusi për të diskutuar me palën ukrainase rreth situatës atje.

Por, siç ka raportuar The Guardian, kjo duket të jetë një propagandë e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili po pretendon se po mundohet të zgjidhë çështjen në Ukrainë me dialog.

Në anën tjetër, pala ukrainase nuk ka shkuar në Bjellorusi për t’u takuar me rusët, e për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Mëngjesin e sotëm, ai ka thënë se është i hapur për bisedime por jo në Bjellorusi, shtet ky i cili ka mbështetur veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Presidenti ukrainas shtoi se bisedimet në Minsk të Bjellorusisë mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha më herët gazetarëve se delegacioni rus kishte mbërritur në Bjellorusi për bisedime dhe “tani janë duke pritur për ukrainasit”.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë njoftoi se kishte përgatitur gjithçka të nevojshme për takimin.

Më herët u raportua se ushtria ukrainase konfirmoi se rrëzoi një “raketë me krahë” të gjuajtur në Kiev nga një avion bjellorus Tu-22 këtë mëngjes.

“Forcat Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës pak minuta më parë rrëzuan një raketë me krahë të lëshuar në kryeqytetin e Ukrainës nga territori i Republikës së Bjellorusisë nga një aeroplan TU-22”, tha Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi.

“Ky është një tjetër krim lufte i Federatës Ruse dhe Rusisë” shtoi ai.

Të ngjashme