Presidenti Hashim Thaçi ka dështuar ta çojë në fund ndonjërën prej nismave kryesore që ka ndërmarrë prej një viti e gjysmë, kur e ka nisur mandatin e kreut të shtetit.
Analistët konsiderojnë se nismat kanë qenë të dedikuara për dështim qëkur janë lansuar, shkruan sot Koha Ditore.
Prej prillit të vjetëm e deri tash presidenti ka iniciuar reformën zgjedhore, dekriminalizimin e skenës politike, pastaj formimin e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, e së fundmi edhe formimin e një grupi uniteti për dialogun me Serbinë.
Reforma zgjedhore nuk ka siguruar mbështetje nga opozita e mandatit të shkuar dhe as nga një pjesë e shoqërisë civile. Për të nuk ka pasur ndonjë aktivitet as pas ndërrimit të pushtetit pas zgjedhjeve të parakohshme të qershorit. Çështja e dekriminalizimit të skenës politike akoma nuk ka marrë rrugë zyrtare dhe është pritur me rezerva nga subjektet që e përbëjnë Kuvendin.
Për Komisionin për të vërtetën dhe pajtimin janë shprehur kundërshti në Kosovë, nga është konsideruar se dënimi i kriminelëve serbë të luftës duhet t’i paraprijë pajtimit. Për transformimin e FSK-së në ushtri mungon mbështetja ndërkombëtare, nga shkaku që kreu i shtetit synon që ky proces të bëhet nëpërmjet ndryshimeve ligjore, pas bllokadës nga serbët që kjo të realizohet me amendament kushtetues.
Ndërkaq nga shumë subjekte ka marrë përgjigje negative ftesa për gjithëpërfshirje në procesin e dialogut me Serbinë.