Presidentit të Ukrainës i plotësohet dëshira e kamotshme – e pret Bideni

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u prit të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë nga homologu i tij amerikan, Joe Biden, i cili i ofroi 60 milionë dollarë ndihma në fushën e sigurisë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus. Sot do të diskutojmë për atë se si ShBA-ja mund ta vazhdojë përkrahjen ndaj Ukrainës në kohën kur ajo po e avancon agjendën e reformave demokratike”, tha presidenti amerikan në fillim të takimit me homologun ukrainas.

Në agjendën e takimit të parë mes dy liderëve që nga ardhja në pushtet e Bidenit në janar ishte edhe gazsjellësi “Nord Stream 2”, projekt për të cilin Ukraina frikësohet se mund të përdoret nga Rusia si armë gjeopolitike.

Zelenskiy e ngriti shqetësimin e tij rreth gazsjellësit rus dhe tha se do të kërkojë që ta dëgjojë pikëpamjen e presidentit amerikan rreth gjasave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe për një kornizë kohore për këtë veprim, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka theksuar se Ukraina duhet ta modernizojë sektorin e mbrojtjes dhe t’i avancojë reformat në fushën e sundimit të ligjit për t’i plotësuar kriteret për anëtarësim në NATO.

Të ngjashme