Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dekretoi sot 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se nga gjyqtarët e dekretuar, 12 janë gra dhe 8 burra, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri. Presidentja Osmani theksoi se ndërtimi i një shteti të suksesshëm dhe demokratik është i mundur vetëm përmes një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe funksional”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se Osmani vuri në dukje se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë shtyllat kryesore për garantimin e barazisë para ligjit dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.