Ambasadorja e Kosovës në Kroaci, Shkëndije Geci Sherifi është dekoruar me medaljen e meritave nga Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitarovic.
Në një ceremoni zyrtare në Presidencën e Kroacisë, ambasadorja Geci Sherifi u dekorua nga Presidentja kroate për merita të veçanta në promovimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Kroaci në prag të largimit nga misioni diplomatik në Kroaci.
Presidentja Grabar Kitarovic tha se përgjatë tri viteve të shërbimit në Kroaci, Ambasadorja Geci Sherifi ka bërë përpjekje të mëdha në promovimin e bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbimeve miqësore midis Kosovës dhe Kroacisë. Ajo tha se vlerëson lartë punën e saj të palodhshme në thellimin e raporteve Kosovë – Kroaci.
Për këtë ka njoftuar edhe faqja zyrtare e Ambasadës kroate në Prishtinë:
Ambasadorja e Kosoves ne Kroaci, Shkendije Geci Sherifi dekorohet nga Presidentja Kroate, znj. Kolinda Grabar Kitarovic
Me 21 dhjetor, 2016, Ambasadorja Geci Sherifi, në një ceremoni zyrtare në Presidencen e Republikes se Kroacise, u dekorua nga Presidentja kroate Grabar Kitarovic për merita të vecanta në promovimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Kroaci në prag të largimit nga misioni diplomatik në Kroaci.
Presidentja Grabar Kitarovic tha se pergjatë tre viteve të shërbimit në Kroaci, Ambasadorja Geci Sherifi ka bërë përpjekje të mëdha në promovimin e bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbimeve miqësore midis Kosovës dhe Kroacise. Ajo tha se vlereson lartë punën e saj të palodhshme në thellimin e raporteve Kosovë – Kroaci. Si vleresim dhe nderim per kete kontribut te shquar në avansimin e marredhenieve bilaterale, presidentja Grabar Kitarovic kroat e dekoroi ambasadoren Geci Sherifi me Urdherin e Dukës Branimir të Kroacisë, urdhër ky i cili u jepet zyrtarëve të lartë shtetërorë, shefave te misioneve diplomatike për merita të veçanta në promovimin e pozitës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve te Kroacisë me vendet e tjera. Presidentja Grabar Kitarovic i përcolli përshëndetjet e saja Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Thaci dhe tha se Kroacia do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje Kosovës në të gjitha proceset e saja integruese.
Ambassadorja Geci Sherifi tha se ndjehet thellësisht e nderuar dhe se kjo dekoratë e cmuar nuk është vetëm një nderim personal por është një simbol i raporteve miqësore Kosove-Kroaci. Kroacia si vendi më i ri i Bashkimit Europian por njëkohësisht edhe vend i rajonit tonë, është një promotore e fuqishme e integrimit të Ballkanit Perëndimor brenda Unionit Evropian dhe si e tillë ka treguar gadishmëri që Republikës së Kosovës t’i ofrojë përkrahje dhe ekspertizë në rrugën jo të lehtë të procesit të integrimit. Ambasadorja Geci-Sherifi falënderoi Presidenten Grabar Kitarovic dhe institucionet kroate për përkrahjen e vazhdueshme, dhe mbështetjen e fuqishme dhënë Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.
Ndryshe, ky është mandati i dytë i Ambasadores se Republikës së Kosovës, znj. Shkëndije Geci Sherifi e cila ka shërbyer si ambasadore në Budapest të Hungarisë ku gjithashtu ishte dekoruar nga Presidenti i Hungarisë z. Janos Ader me Urdhërin e Meritës për shërbim të shkëlqyeshëm.