Presidentja Osmani bisedoi në telefon me emisaren britanike, temë edhe formimi i qeverisë

Prishtinë | 14 Tet 2025 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me Dame Karen Pierce, të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Osmani përmes një shkrimi në X njoftoi se në këtë bisedë telefonike është diskutuar për zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë, të cilat, sipas saj, dëshmuan profesionalizmin e institucioneve dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë.

Presidentja ngriti edhe shqetësime serioze për ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor, duke theksuar se veprime të tilla godasin në zemër të demokracisë.

“Një sjellje e tillë destabilizuese duhet të përballet me një reagim të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Osmani.

Në bisedë u trajtuan gjithashtu hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe thellimit të agjendës strategjike dypalëshe mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të ngjashme