Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me drejtoreshën e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi vizituan të mërkurën Klinikën e Onkologjisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, presidentja Osmani dhuroi proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri, si shenjë mbështetjeje për to dhe për fuqizimin e grave që përballen me këtë sëmundje.
Presidentja Osmani tha se ndonëse mbështetja në shikim të parë mund të duket simbolike, ajo ka rëndësi të madhe për fuqizimin dhe mbështetjen psikologjike të pacienteve.
“Mbështetja e cila në shikim të parë duket simbolike, megjithatë ka rëndësi të madhe për mbështetjen psikologjike që ju japim pacienteve. Diku 640 pako onkologjike janë si një donacion nga Presidenca dhe këto donacione jemi duke i ofruar për pacientet që kanë vizituar dhe vuajnë nga kanceri i gjirit, që 4 vite kemi këtë bashkëpunim. Çdo vit, përmes amendamenteve për buxhetin, angazhohemi për rritjen e buxhetit për listën e barnave esenciale, të domosdoshme për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Diskutuam edhe sot për nevojat me të cilat ballafaqohen, duhet të rritet edhe numri i stafit. Na duhet edhe qendra e kujdesit paliativ, një çështje që po e shtyjmë përpara së bashku me zonjën Nafije që disa vite”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtoresha e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi, theksoi nevojën e domosdoshme për themelimin e një qendre të kujdesit paliativ në Kosovë, duke falënderuar stafin e Onkologjisë për punën e tyre.
“Kjo nevoja e domosdoshme për një qendër për kujdes paliativ i mungon Kosovës dhe pacienteve kosovarë. Shumë mirënjohëse ndaj stafit të Klinikës Onkologjike në krye me drejtorin Ilir Kurtishi të cilët bëjnë punë të jashtëzakonshme me pacientet më të rënda”, tha ajo.
Drejtori i Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, vlerësoi kontributin e Presidentes Osmani dhe përfaqësuesve të institucioneve që kanë mundësuar furnizimin me barna që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e pacienteve.
“Falënderojmë shumë për kontributin e jashtëzakonshëm për vitin e kaluar presidenten, e cila së bashku me deputetë të Parlamentit kanë bërë të mundur që sot të kemi disa barna që kanë impakt direkt në jetëgjatësinë e pacienteve. Numri i pacienteve që trajtojmë gjatë ditës kap shifrën 200-250 veta dhe më shumë se 1500 raste të reja për herë të parë janë lajmëruar në Klinikë. Kjo tregon se sa është e domosdoshme të kemi furnizim të rregullt me barna, të kemi aparaturë të cilën veçse e kemi, ta modernizojmë, të kemi staf infermieror. Për 9 muajt e vitit 2025 kemi 330 raste të reja me kancer të gjirit, që është numër i njëjtë me vitin 2024, dhe prej tyre janë 3 meshkuj. Ky numër sillet përafërsisht njëjtë këto dy vitet e fundit dhe mendojmë që deri në fund të vitit të kemi rreth 460-470 raste, që është lajm i mirë me qenë se kemi një plato, pra nuk kemi trend të rritjes së sëmundjeve malinje në krahasim me vitin 2023-2022”, tha ai.
Për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, mediat nuk janë lejuar të marrin pamje brenda Klinikës. Pas vizitës, presidentja Osmani do të deklarohet për media.


