Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje që Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të zgjidhet sa më shpejt, duke theksuar se çdo vonesë është në dëm të vendit dhe të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën”, tha presidentja Osmani.
Pas afro 60 seancave, të martën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh për kryetar Kuvendi duke marrë 73 vota. Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën. Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.
Tre deputetë e gjashtë raunde votimi kanë mbetur në “lojë”, në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit – zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Në garë kanë mbetur dy deputetët e Listës Serbe, Igor Simiq e Miljana Nikoliq, dhe deputeti i Partisë së Pavarur Liberale, Nenad Rashiq.
Votimi ndaras për nënkryetarët nga pakicat ka nxitur dyshime se mund të jetë shkelur Kushtetuta e vendit, pasi në të kaluarën ata janë votuan në një pako.
Osmani tha se “nuk dua ta jap interpretime kushtetuese për këtë situatë”, kur u pyet për votimin ndaras.
