Presidentja Osmani merr meritat për pranimin e Kosovës në kompaninë Amazon

Prishtinë | 31 Dhj 2024 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka fituar njohje zyrtare nga “Amazon” dhe është përfshirë tashmë në të gjitha platformat e “Amazon”-it.

Me përfshirjen e saj në të gjitha platformat e “Amazon”-it, Republika e Kosovës shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit.

Kështu kanë njoftuar në një komunikatë të përbashkët Presidenca dhe Oda Amerikane në Kosovë, transmeton Zeri.info.

Në njoftim thuhet se kjo arritje vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në tetor 2024, ndërmjet presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe përfaqësuesve të gjigantit teknologjik Amazon në Washington D.C., SHBA.

“Këto diskutime janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Task-Forca për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me mbështetje të rëndësishme nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë”.

“Prania në platformat ‘Amazon’ u mundëson individëve dhe bizneseve kosovare të zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe të prezantojnë produktet vendore para një audiencë globale në amazon.com, duke nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin. Ky zhvillim gjithashtu lehtëson qasjen për konsumatorët, të cilët tani mund të lidhen pa pengesa me një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë, si dhe përdorimin e shërbimeve si ‘Amazon Web Services’ (AWS), ‘Amazon Alexa’ etj. Ky përparim është një dëshmi e qartë e fuqisë së diplomacisë dhe bashkëpunimit publiko-privat në avancimin e interesave ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Presidentja, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, po zhvillon takime të vazhdueshme edhe me platforma të tjera të rëndësishme digjitale, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e sektorit të biznesit në vend dhe ekosistemit digjital në përgjithësi.

Të ngjashme