Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin historik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) me rastin e shënimit të 50-vjetorit të saj, duke e cilësuar këtë institucion si themelin ku u formësua mendimi politik dhe identiteti shtetëror i vendit, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka theksuar se akademikët, përgjatë pesë dekadave, kanë punuar në kushte të vështira për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe interesin kombëtar, ndërsa kanë qenë shtylla në orientimin e Kosovës drejt dijes dhe institucioneve euroatlantike.
“Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është qendra ku u formësua mendimi ynë politik dhe institucioni ku lindën idetë, që i dhanë drejtim, kuptim dhe themel shtetit tonë.
Prej pesë dekadash, akademikët e Kosovës kanë punuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira kohë pas kohe, por synimi ishte të mbrohet gjuha, të mbrohet kultura e mbi të gjitha të mbrohet interesi kombëtar”.
“ Ata kanë kontribuar në formim politik, arsimor e kulturor dhe e kanë lidhur shtetin tonë me qendrat botërore të dijes, kanë artikuluar idetë, të cilat i dhanë kuptim rrugës sonë për një shoqëri të vlerave dhe për një shtet modern e të integruar në institucionet euroatlantike.
Në çdo fazë të historisë sonë, Akademia ka qenë një nga institucionet që nuk është dorëzuar. Studimet, arkivat, botimet, krijimtaria letrare e artistike, kanë mbajtur gjallë edhe ëndrrën tonë për liri dhe shtet.
Prandaj, në këtë përvjetor jubilar, kujtojmë me mirënjohje të gjithë ata, që dhanë mund e djersë e shumë prej tyre edhe jetën, në mënyrë që të ecim përpara si shtet i lirë. Kujtojmë me mirënjohje kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Esad Mekulin, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme”, tha ajo.
Presidentja kujtoi me mirënjohje figurat që lanë gjurmë të pashlyeshme në këtë institucion, duke filluar nga kryetari i parë i ASHAK-ut.
“Me vizionin e tij krijues dhe guximin qytetar, Esad Mekuli e ngriti Akademinë në institucionin, ku fjala dhe mendimi i lirë u bënë themel i identitetit tonë kulturor. Në historinë tonë kombëtare, fjala “akademi” bart një peshë të veçantë, por edhe të hershme. Ky institucion i hershëm është simbol i përpjekjes sonë shekullore për dije dhe kulturë, për ta ngritur mendimin e lirë dhe për ta ruajtur atë në kohët edhe më të vështira. Në linjë me këto përpjekje qëndron edhe vepra e akademikut Gazmend Zajmi, i cili përtej angazhimit të tij si kryetar dhe nënkryetar i Akademisë, dha një kontribut të pazëvendësueshëm në ngritjen e themeleve juridike të shtetit tonë. Si hartues i Kushtetutës së Kaçanikut, por edhe i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, akademik Zajmi ndërtoi themelet juridike të shtetit tonë së bashku me shumë e shumë kontribuues të tjerë. Figura e tij është lidhja e drejtpërdrejt ndërmjet mendimit akademik dhe projektit të shtetit të Kosovës.
Me profile të tilla, Akademia jonë shërbeu si vendi ku u projektua e ardhmja jonë si popull, i mobilizuar fuqishëm në kauzën për të drejta, në kauzën për dinjitet, në luftën tonë për liri, pavarësi dhe shtet”, tha ajo.
Osmani ka nderuar edhe Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e lidhur veprimtarinë e tij me këtë institucion.
“Jo rastësisht pjesë e kësaj Akademie ka qenë edhe Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, i zgjedhur anëtar korrespondent në vitin 1996.
Puna në këtë Akademi përbënte ndër themelet më të forta të angazhimit të tij politik e kombëtar si At themeltar i Republikës sonë. Presidenti Rugova i dha politikës sonë thellësinë e mendimit të kultivuar si dhe vizion të qartë. Mendimin intelektual e ktheu në mjet demokratik, në mjet shtetformues dhe paqendërtues. Prandaj, emra si këta dhe shumë të tjerë, dëshmojnë se Akademia ka qenë gjithnjë vendi, ku elita intelektuale i ka dhënë kuptim aspiratave tona shekullore për liri dhe pavarësi. Kjo trashëgimi e begatë na udhëheqë edhe sot, ngase Akademia jonë integron traditën në hapësirën globale akademike. Pesëdhjetë vjet të ekzistencës së Akademisë janë dëshmi e fuqisë së dijes. Sepse kur flasim për dije, flasim për shtet. Nuk mund të ketë asnjëherë shtet të fortë pa shkencë të fortë, siç nuk mund të ketë shoqëri moderne pa akademikë që udhëheqin mendimin e lirë, kritik dhe largpamës. Akademia është ndër institucionet që i japin shtetit edhe vetë substancën”.
“Në këtë përvjetor, nderojmë secilin akademik që ka kontribuar në këtë institucion. Falënderojmë brezat e tërë që bënë të mundur mbijetesën e dijes në kushtet më të rënda. Mbështesim ata e ato që sot e mbajnë barrën e zhvillimit shkencor dhe kulturor, duke e orientuar vendin drejt standardeve më të larta akademike.
Sot, kur shoqëria jonë ecën me ritme të shpejta dhe sfidat janë gjithnjë e më komplekse, roli i Akademisë së Shkencave bëhet edhe më jetik. Akademikët janë ndërgjegjja kritike e shtetit tonë, këshilltarët tanë më të çmuar dhe udhërrëfyes të mendimit të kohës së sotme.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë janë simotra në këtë mision të përbashkët dhe për këtë arsye bashkëpunimi duhet çdo ditë e të intensifikohet më shumë, duke fuqizuar rolin kombëtar dhe rajonal të dijes dhe shkencës.
Të dy Akademitë kanë pasur historikisht një rol që shkon përtej kufijve institucionalë. Ato kanë qenë dhe mbeten ura që lidhin hapësirën tonë kulturore, gjuhësore dhe shkencore, ruajtëse të kujtesës sonë kombëtare dhe bartëse të vizionit tonë për të ardhmen”, tha ajo.
Ajo kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit me Akademinë e Shqipërisë.
“Në këtë mision, bashkëpunimi ndërakademik është thelbësor, kur projektet e përbashkëta pasurojnë të dy anët e kufirit dhe kur akademitë tona flasin me një zë të përbashkët për sfidat me të cilat sot përballet kombi ynë. Ndikimi i dijes është i domosdoshëm për orientimin e shoqërive tona, ndaj intensifikimi i bashkëpunimit midis Akademisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë mbetet një ndër investimet më strategjike që mund ta bëjmë si komb shqiptar”.
“Roli i Akademisë sot ka fituar një kompleksitet të jashtëzakonshëm. Historianët, gjuhëtarët dhe studiuesit janë gardianë të saktësisë në një epokë, ku informacioni shpërndahet pafundësisht, por e vërteta shpesh mbetet e rrallë. Akademikët janë interpretuesit, por edhe mbrojtësit e kësaj të vërtete. Dhe, mbrojtësit e një të ardhmeje në një kohë kur teknologjia lëviz më shpejt se imagjinata, ndaj mbajnë barrën e përgjegjësisë për ta orientuar dijen drejt vlerave dhe etikës, të cilat e bëjnë një shoqëri të qëndrueshme dhe të lirë”, tha ajo.
Presidentja theksoi edhe misionin e ASHAK-ut për dokumentimin shkencor të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.
“Në këtë kontekst, Akademia ka një mision të pazëvendësueshëm në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në mbrojtjen e së vërtetës historike mbi krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Si institucion i dijes dhe autoritetit shkencor, përplot me njerëz që gjithçka dhanë për atdheun, akademia do të prodhojë studime të verifikuara, të mbështetura në prova dhe metodologji të qëndrueshme, për t’i dokumentuar edhe më tej me rigorozitet faktet, përmasat dhe natyrën e gjenocidit të kryer në Kosovë nga ana e Serbisë. Në këtë mënyrë, Akademia parandalon shtrembërimin e historisë, mbron dinjitetin e viktimave dhe të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe po ashtu e mbi të gjitha u siguron brezave që do të vijnë pas nesh, një bazament të pathyeshëm të së vërtetës sonë historike. E vërteta jonë dihet botërisht. Në vitet e ‘90-ta, ne luftuam për liri, pavarësi dhe shtet, ndërkaq Serbia ishte agresore. Këtë të vërtetë do ta mbrojmë sot e përgjithmonë së bashku me secilin prej jush”, tha ajo.


