Presidentja Osmani në Krushë të Vogël: Më 1999 një fshat i tërë u kthye në një varrezë

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 12:31 | Nga Hasan Hoti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në tubimin përkujtimor me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Krushë të Vogël, tha se më 1999, një fshat i tërë u kthye në një varrezë, raporton Ekonomia Online.

“Një ditë kur edhe heshtja kumbon më shumë se fjalët. Më 1999 ndodhi një nga mizoritë gjenocidale të Serbisë. Për dy ditë u masakruan 113 martirë. Një fshat i tërë u kthye në një varrezë dhe forcat serbe nuk u ndalën vetëm me vrasje, por edhe i dogjën trupat. Serbia dëshmoi edhe një herë përpjekjen për ta fshirë popullin e Kosovës nga faqja e dheut. Krusha e Vogël nuk është vetëm dhimbje, por simbol i zgjuarjes dhe ku i shohim këta fëmijë, shumica prej tyre janë rritur pa prindër. Krusha e Vogël nuk është vend i kujtesës, por edhe vend i së ardhmes sonë, jo për t’u hakmarrë, por për të mos u përsëritur më”, tha presidentja Osmani

Osmani në akademinë përkujtimore në Krushë të Madhe, tha se nuk do të pushojmë, derisa krimet e Serbia të dalin para drejtësisë.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga organet e drejtësisë që kryerësit e krimeve në Kosovë të vihen para drejtësisë.

“Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte projektin e saj të errët dhe famëkeq serbomadh, duke zbatuar planin famëkeq të quajtur ‘Patkoi’ për shfarosjen e popullit në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti gjenocidal, autoritetet serbe kishin planifikuar si teknikë të dëbimit dhe terrorizimit të popullsisë shqiptare çrrënjosjen e saj nga Kosova, duke kryer vrasje masive të civilëve të pafajshëm dhe të pambrojtur”, tha Kurti, teksa këtë masakër e cilësoi si gjenocid. /EO

Të ngjashme