Presidentja Osmani: Ngritja e statusit të Kosovës në Frankofoni, triumf për vlerat frankofone

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF) për Evropën Qëndrore dhe Lindore, Eric Pope, i cili viziton Kosovën pas aplikimit të Republikës sonë në këtë organizatë.

Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së statusit të Kosovës në ONF nga statusi i vëzhguesit në anëtar me të drejta të plota.

Ajo ka theksuar se Kosova është shembull i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve pa dallim, forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Rinia është potenciali më i madh i Kosovës dhe me talentin e dëshmuar në ndërmarrësi dhe inovacion, është shembull për rajon e më gjerë”, theksoi presidentja, duke e njoftuar Pope edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku Kosova është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.

Në këtë frymë, Osmani ka shtuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.

Osmani dhe Pope diskutuan edhe për samitin e Frankofonisë në tetor, ku presidentja do ta përfaqësojë Kosovën.

Të ngjashme