Në Kosovë ishte bërë traditë që në fundvit dhe për përvjetor të Pavarësisë të Kosovës, të falen të burgosurit. Por këtë praktikë tash e disa vite nuk po e zbaton presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani. Përkundër që ShKK ka konfirmuar se në zyrën e saj janë përcjell 196 kërkesa për falje. Veprimet e të parës së shtetit po kritikohen ashpër edhe nga KMDLNj.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar presidencën për të kuptuar se përse Osmani ka vendosur t’i injorojë të burgosurit.
Kjo sipas këshilltarit për media nga Presidenca ka ndodhur për shkak se Komisioni nuk i ka rekomanduar faljen e asnjë të dënuari.
“Komisioni i themeluar me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje, gjatë vitit 2022 ka shqyrtuar gjithsej 195 kërkesa për falje, për asnjërën nga këto kërkesa Komisioni nuk i ka rekomanduar faljen e ndonjë të dënuari Presidentes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.
Presidentja Osmani nuk e fali asnjë të dënuar për Vitin e Ri
Komisioni i cili u themelua me vendimin e Osmanit ishte takuar 12 herë, përgjatë 2022-ës dhe kishte trajtuar 195 kërkesa, por prapë nuk rekomandoi për falje.
Sqaroi edhe sa kërkesa tashmë janë në proces.
“Prej këtyre 195 kërkesave për falje, Komisioni nuk i ka rekomanduar faljen e ndonjë të dënuari Presidentes së Republikës së Kosovës. Aktualisht në proces janë edhe 22 kërkesa për falje të personave të dënuar, që pas kompletimit me informata shtesë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes Qendrave Korrektuese dhe të Paraburgimit, pritet të shqyrtohen nga Komisioni. Komisioni pas plotësimit të këtyre kërkesave dhe shqyrtimit të tyre sipas procedurave ligjore, vendos t’i rekomandojë apo jo faljen e ndonjë të dënuarit Presidentes së Republikës së Kosovës”, tha Kupina.
SHKK përgjatë 2022-ës 196 të dënuar kanë bërë kërkesë për falje të dënimit
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar për Insajderin numrin e kërkesave që kanë dorëzuar në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Minsitrisë së Drejtësië, për procedurat e mëtejme.
Florent Gashi, zëdhënësi i SHKK-së tregoi saktë se sa person bënë kërkesën për falje gjatë 2021 e 2022-ës.
“Nga fillimi i vitit 2022 e deri në fundvit kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 196 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme”, tha Gashi.
“Gjatë vitit 2021 kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 104 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë”, konfirmoi ai.
I pyetur nëse kanë pranuar ndonjë përgjigje nga presidenca për mos-falje të të burgosurve kosovarë, Gashi tha “Lidhur me këtë Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë arsyetim”.
Momentalisht, numri i të burgosurve në të gjitha institucionet korrektuese është 1 mijë e 794 , ku 1 mijë e 104 prej tyre janë të dënuar e 690 të paraburgosur.
KMDLNj: Presidenca po i fut të burgosurit nën llupën e kriminelëve të papërmirësueshëm
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kritikuar ashpër qasjen e Presidentes, Vjosa Osmani karshi të burgosurve.
Sipas tyre nuk ka logjikë përse të dënuarit nëpër burgjet e Kosovës po trajtohen këtë formë nga Osmani.
“Presidentja e Kosovës ka qasje shumë të gabuar sa i përket faljes të të burgosurve shkaku se i fut nën llupen e krimineleve të papërmirësueshëm të cilët shteti duhet t’ju hakmerret aq kohë sa iu zgjate dënimi. As presidentja e as stafi duket se nuk kanë dëgjuar e as qe kanë informata për procesin e risocializimit që, në njërën anë iu ndihmon të burgosurve të përfitojnë nga sjellja e mirë dhe, në anën tjetër është përfitues edhe shoqëria për faktin se përmes risocializimit kthehen të dënuarit e dekriminaluzuar”, kanë thënë për Insajderin nga KMDLNj.
Nga ky këshill po thonë se me këtë veprim presidentja po ua humb motivin të burgosurve.
“Ky veprim i Presidentes ndikon shumë keq te të burgosurit për faktin se ua merr motivin të sillen mirë. Pse do të duhej të sillen mirë kur mundësitë për të përfituar i kanë fare të vogla, simbolike me një fjalë”.
Në anën tjetër, KMDLNj përmend se kjo qasje mund të ndikoi keq edhe tek Shërbimi Korrektues.
“Pastaj kjo ndikon keq edhe tek Shërbimi Korrektues i Kosovës për faktin se të burgosurit, për shkak të një sjelljeje refuzuese të Presidentes për t’i falur, e humbin besimin edhe tek Shërbimi Korrektues që angazhohet mjaft për risocializimin e tyre”.
Ata paralajmërojnë se mund të ketë edhe rezistencë nga të burgosurit “Me këtë refuzim po injorohet edhe puna e zyrtarëve të SHKK, e që prodhon pastaj pasoja të mosbindjes së të burgosurve, deri te greva”.
Si KMDLNj, janë zotuar se do të avokojnë dhe do të angazhohen që numri i të burgosurve përfitues të jetë sa më i madh.
Faljet nga presidentët ndër vite
Gratë presidente janë treguar më dorë-shtrënguar për faljen e të burgosurve. Presidentja e parë grua, Atifte Jahjaga nga 2011-2016 kishte falur vetëm 21 persona. Teksa presidentja aktuale, Vjosa Osmani ende nuk e ka falur asnjë të burgosur.
Pak më “zemërgjerë” janë treguar presidentët burra në veçanti presidenti, Hashim Thaçi, i cili shfrytëzonte data të ndryshme gjatë vitit për ta përdorur të drejtën për faljen e të dënuarve. Madje, një ditë para se të jepte dorëheqje, Thaçi kishte nxjerrë dekret për falje të dënimit ndaj pesë të burgosurve.
Ndërkohë, presidenti i parë i Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë, Fatmir Sejdiu kishte falur gjithsej 124 të burgosur.
Presidenti, Jakup Krasniqi në anën tjetër, vetëm 2011-ën fali 103 të burgosur.