Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në fokus të takimit ishin përgatitjet për pjesëmarrjen e Kosovës në COP28 që këtë vit mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ftesa për delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga Presidentja Osmani për pjesëmarrje në diskutimet e nivelit të lartë në kuadër të COP28 paraqet një moment historik dhe tejet të rëndësishëm sa i përket angazhimit të vendit në drejtim të implementimit të agjendës klimatike.
Në takim u diskutua për zhvillimet dhe të arriturat në fushën e përpilimit dhe miratimit të legjislacionit të rëndësishëm në fushën e ndryshimeve klimatike, por edhe për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për një paraqitje sa më të suksesshme të vendit në COP28.
Presidentja Osmani dhe Ministri Aliu u dakorduan për bashkërendim të angazhimit dhe komunikimit në muajt në vijim, duke theksuar rëndësinë e madhe të adresimit të suksesshëm dhe efektiv të sfidave të lindura si pasojë e ndryshimeve klimatike me qëllim të garantimit dhe avancimit të mirëqenies së qytetarëve.
Në takim u diskutua poashtu për projekte të shumta dhe iniciativa të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndërtimit të infrastrukturës e të cilat janë të rëndësishme për avancimin e përpjekjeve vendore drejt avancimit të Agjendës së Gjelbër dhe përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse në vend dhe rajon.