Presidentja Osmani pret Sveçlën dhe drejtorin e Policisë, i falënderon për angazhimin në veri

Prishtinë | 30 Sht 2023 | 18:22 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq te Policisë së Kosovës. Ajo edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit.

Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës përballë veprimeve destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Të ngjashme