Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Estoni është pritur nga Presidenti i Parlamentit, Jüri Ratas.
Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Ratas për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës.
Më tej, zonja Osmani ka thënë se Kosova synon të ndërtojë partneritet të qëndrueshëm më Estoninë, si një vend shembull në fushën e e-qeverisjes dhe demokratizimit. Presidentja Osmani ka theksuar ndër të tjera se pret mbështetjen e Estonisë në rrugën evropiane të Kosovës.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur faktin se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e parashtruara për liberalizimin e vizave, megjithëse ato ishin dyfish më shumë se për vendet e tjera. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka përmendur se me Estoninë, Kosova synon të thellojë marrëdhëniet bilaterale, teksa pret mbështetje edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata multilaterale.
Në takim me Presidentin e Parlamentit estonez, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mirëpret thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërkohë që është në procedurë riaktivizimi i grupit parlamentar të miqësisë.