Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës.
Përfaqësueset e këtij Rrjeti i kanë dhënë mbështetje punës së deritashme të Presidentes Osmani, duke e vlerësuar angazhimin e saj për fuqizimin e pozitës së grave dhe duke e konsideruar rolin e saj të domosdoshëm në përpjekjet për gjithpërfshirjen e grave në të gjitha proceset.
RrGK-ja ka kërkuar mbështetjen e Presidentes për ndryshimet në Ligjin zgjedhor. Ato kërkuan që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të jetë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, për të cilën gjë kanë marrë mbështetjen e Presidentes.
Presidentja Osmani, ndërkaq ka theksuar se përgjatë mandatit të saj, çështja e barazisë gjinore është një nga prioritetet e saj së bashku me të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, sikurse edhe me agjendën e gjelbër.
Në këtë takim, RrGK-ja, ka shtruar nevojën e përfaqësimit të grave edhe në procesin e dialogut me Serbinë.