Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sonte priti në takim ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, Claudia Plakolm si dhe sekretaren Shtetërore për Çështjet Evropiane, të Drejtën Ndërkombëtare dhe Mbrojtjen e Interesave dhe Diplomacinë Ekonomike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Neva Grashiq, raporton Ekonomia Online.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Austrinë dhe Slloveninë. Presidentja Osmani i falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe për angazhimin në promovimin e stabilitetit rajonal.
Më tej, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe kërkoi përkrahjen e Austrisë dhe Sllovenisë për heqjen e masave kufizuese të BE-së, duke i cilësuar ato të pajustifikuara në raport me arritjet e vendit. Po ashtu, Presidentja Osmani tha se shpreson se këto dy vende mike do të jenë ndër zërat më të fuqishëm për të shtyrë përpara aplikimin e Kosovës për shtet kandidat të BE-së, ashtu siç e kanë vepruar me disa shtete të rajonit më parë.
Në fund, Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa miqësia dhe partneriteti me Austrinë dhe Slloveninë janë shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit.
