Presidentja Osmani u prit në takim nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, përmendet lëvizja e qytetarëve të Kosovës

Prishtinë | 27 Tet 2025 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit sot në një takim zyrtar nga Princi i Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Lartëmadhëria e Tij Mbretërore Mohammed bin Salman.

Në këtë takim të Presidentes Osmani, mori pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës ndër vite.

“Duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe hapjes së kapitujve të rinj në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Presidentja Osmani propozoi lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës përmes mundësisë së aplikimit për viza elektronike, një nismë që u mirëprit me interes të veçantë nga Lartmadhëria e Tij, Princi i Kurorës”, thuhet në komunikatë.

Në takim gjithashtu u theksua përkushtimi i përbashkët i të dy shteteve për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal e global, si dhe gatishmëria për t’i thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet marrëveshjeve të reja dhe zgjerimit të horizonteve të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Bëhet e ditur se Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me Arabinë Saudite në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, arsimit, inovacionit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet në mes dy vendeve.

Të ngjashme